Zagreb, 14 tetor 2022 - Në Velika Gorica u mbajt konferenca finale e projektit të BE-së “COMMAND d”, menaxhuesi i projektit të së cilës ka qenë Qarku i Zagrebit me qytetet partnere të Podgoricës, Shkupit, Tiranës dhe Tuzit.
COMMAND d është një projekt për të mbështetur qendrën komanduese dhe operacionale në gatishmërinë ndaj fatkeqësive, i cili synon të rrisë gatishmërinë dhe të mundësojë lidhjen e të gjithë pjesëmarrësve përmes një platforme IT.
Vlera totale e projektit është 457,821.97 euro. 85% e shumës është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare Evropiane), ndërsa 15% e mbetur është siguruar nga Qarku i Zagrebit.
Selia Qendrore e Mbrojtjes Civile e Qarkut do të jetë përdoruesi i Platformës së re të IT-së në Qarkun e Zagrebit, e cila tani do të jetë në gjendje t'i përgjigjet më shpejt një fatkeqësie ose aksidenti të mundshëm. Sistemi i ri do të reduktojë kohën e reagimit të Selisë së Qarkut nga ajo e mëparshme, nga dy orë në 15 minuta.
Damir Trut , drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes Civile, theksoi se Sistemi i Mbrojtjes Civile funksionon në atë mënyrë që të parandalojë, edukojë dhe veprojë kur ndodh një aksident. "Për të qenë më të mirë në këto aktivitete, nevojitet një sistem komandimi si COMMAND d, i cili ndihmon operativët të mbledhin dhe transmetojnë më lehtë informacionin dhe të marrin vendime analitike,"- tha Dr. Trut.
“Përmasat e zonës së Qarkut të Zagrebit, luhatja e madhe e trafikut, si dhe vendet me rrezik potencial na detyrojnë të përmirësojmë vazhdimisht të gjithë Sistemin e Mbrojtjes Civile, sepse një organizim i mirë është gjysma e punës së bërë”, tha zv. Prefekti Damir Tomljenoviq.
Funksionalitetet e platformës IT i prezantoi Luka Rudelić. “Është një bazë e madhe e të dhënave që mbështetet nga një ekran hartografik në mënyrë që të dini se ku është çdo gjë në çdo kohë”, tha Rudelić , duke shtuar se përmes platformës mund të komunikohet drejtpërdrejt me forcat operative dhe të kryhen simulime. “Me një klikim mund të simulojmë një tërmet dhe të marrim menjëherë informacion për shtrirjen e zonës potencialisht në rrezik, sa njerëz dhe kompani janë në rrezik atje, cilat janë forcat më të afërta që mund të ndihmojnë, nëse ka substanca të rrezikshme në atë zonë, ku është magazina më e afërt etj.”,- tha Rudeliq .
Secili prej partnerëve në projekt mori një platformë të përshtatur për zonën e tyre, bazën e së cilës ata do të vazhdojnë të plotësojnë në mënyrë të pavarur dhe të implementojnë module të reja dhe zgjidhje softuerike brenda saj.
Në kuadër të konferencës u mbajt një panel diskutimi me temën “Investimi në Sistemet IT-së të Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Krizave”.